Reali mbetet duarthatë, Atletico është ‘Mbreti’ i Spanjës


Atletico Madridi është ‘Mbret’ i Spanjës. Skuadra e dytë nga kryeqyteti spanjoll e ka fituar trofeun e Copa del Rey (Kupa e Mbretit) pasi e mposhti Real Madridin me rezultat 2:1, në ndeshjen e zhvilluar sonte në Santiago Bernabeu, ku fituesi u përcaktua pas vazhdimeve.
Në një ndeshje me plot emocione, ku nuk munguan shtyllat, kartonët e kuq, rastet e panumërta dhe përleshjet në mes të të dyja palëve, ‘Los Colchoneros’ e përmbysën rezultatin, duke e fituar këtë trofe për herë të 10-të në histori të klubit.

‘Los Blancos’ kaluan në epërsi në minutën e 14-të me anë të Cristiano Ronaldos, i cili shënoi me kokë. Ndërkaq, Diego Costa i barazoi shifrat në atë të 35-të, pasi e mori një top të mirë nga Radamel Falcao.
Ozil, Ronaldo dhe Benzema kanë qenë të pafat në vazhdim të ndeshjes, pasi e qëlluan shtyllën, ndërsa Ozil dhe Higuain lëshuan raste të qindpërqindta në fund të takimit.
Gabimet e tyre i dënoi Atletico, e cila e shënoi golin e dytë në minutën e 99-të përmes mbrojtësit Miranda, që realizoi me kokë.

Trajneri Jose Mourinho dhe Cristiano Ronaldo janë ndëshkuar me karton të kuq në këtë takim, kurse tek Atletico u skuq Gabi.
Reali dështoi ta fitonte këtë trofe për herë të 19-të në histori të vetë, kurse Atletico e fitoi atë për herë të 10-të.

Gjithashtu, Atletico i dha fund dominimit 14 vjeçar të Realit, pasi nuk fitonte qe 25 ndeshje në derbin e Madridit, nga viti 1999. Realit i mungoi vërtet fati në këtë takim. Skuadra Merengues e mbylli kështu një sezon dështues, pa trofe.