Barcelona vazhdon ta dominojë kampionatin spanjoll në Shekullin XXI. Që nga viti 2000, Blaugrana i ka fituar gjashtë tituj kampioni, e ndjekur nga Real Madridi me 5, Valencia 2 dhe Deportivo La Coruna 1. Seria e titujve të Barçës është përforcuar nga sezoni 2008/09, dhe prej atëherë, Lionel Messi me shokë i kanë fituar katër tituj nga pesë sezone.
Në sezonin 2008/09, nën drejtimin e Pep Guardiolës dhe Tito Vilanovës, katalunasit e kishin fituar ligën me 87 pikë, prej tyre 27 fitore, 6 barazime e 5 humbje. Vitin pasues, ata e fituan ligën me 99 pikë (31 fitore, 6 barazime e 1 humbje). Në sezonin 2011/12, Barça e fitoi titullin e tretë rresht me 96 pikë (30 fitore, 6 barazime e 2 humbje).
Ndërkaq, tash katalunasit e morën kontrollin e ligës pasi Reali e kishte fituar sezonin që shkoi. Me tri ndeshje të mbetura, djelmoshat e Vilanovas kanë grumbulluar 91 pikë (29 fitore, 4 barazime e 2 humbje).
Kjo është hera e parë në histori të Barcelonës që e fiton titullin pas vetëm një viti pritjeje.
Në të kaluarën, ekipit katalunas i janë dashur së paku dy vjet pritje, pasi e kishte fituar një herë titullin.
Për shembull, ata e kishin fituar titullin në sezonin 1944/45 dhe është dashur të prisnin deri në sezonin 1947/48 për të triumfuar sërish në La Liga. Pastaj nga sezoni 1948/49 deri më 1951/51 dhe nga sezoni 2005/06 pritën deri në sezonin 2008/09 për ta fituar sërish titullin. Në përgjithësi, Barcelona e ka fituar 22 herë titullin e kampionit në Spanjë.
