Derbi Roma-Lacio në Kupë kthehet në çështje-frikë nga dhuna


Finalja e Kupës së Italisë, që nga momenti që u parashikua se do të ishte një çështje e kryeqytetit, mes Romës e Lazios, është kthyer në një temë edhe më të madhe se eventi sportiv. Asnjëherë deri tani këto dy skuadra nuk kishin shkuar deri në finalen e këtij trofeu.

Ndeshja e 26 Majit është kthyer në një çështje e rendit publik, madje edhe politike. E para, sepse është një sfidë shumë delikate dhe vendimtare për dyja skuadra që janë në kërkim të një vendi në Europë dhe të një rivaliteti të zjarrtë prej kohësh. E dyta, sepse ajo që ndodhi më 8 Prill me 45 minuta të çmendura shumë pranë Olimpikos, ku përleshjet me thika plagosën 12 tifozë, ndërsa ato me policinë e detyruan prefektin e Romës dhe Ministrin e Brendshëm t’i bëjnë lutje Ligës për të mos zhvilluar më të tilla ndeshje në orët e darkës.

E treta, sepse më 26 Maj të dielën, do të zhvillohen votimet për kryetarin e bashkisë së Romës, ndaj edhe forcat e rendit do të jenë të impenjuara për të garantuar siguri në qytet. Pra, një dilemë e madhe e ngritur menjëherë pas fitimit të Romës ndaj Interit në “San Siro” dhe arritjes së finales, ku do të ketë përballë Lazion. Kryetari i bashkisë ka ritheksuar edhe njëherë se dëshiron të flasë me prefektin dhe presidentin e Ligës për të rishikuar orarin dhe ditën e finales. Është menduar që kjo sfidë të afrohet, pra të luhet para 26 majit dhe jo në orët e mbrëmbjes.