Pragu i ndeshjes së 7 qershorit, Shqipëri-Norvegji, e vlefshme për kualifikueset e Kampionati Botëror “Brazil 2014”, është më shumë se elektrizuese. Të gjithë kanë nisur të besojnë gjithnjë e më shumë për një kualifikim të mundshëm të kombëtares sonë, që drejtohet nga italiani Xhani De Biazi, në Botërorin e Brazilit, që do të ishte jo vetëm një rezultat historik, por, mbi të gjitha, edhe një dalje për herë të parë në finalet e tilla.
Atmosfera është e atillë sikurse në Tiranë të vinte jo vetëm Gjermania, apo dhe Anglia, po pse jo dhe Kampionët e Botës të Spanjës. Madje dhe kur ka luajtur Franca, më 2 shtator 2011, stadiumi nuk ka qenë i mbushur tej mase. Tashmë gjërat janë ndryshe, ka më shumë kërkesa për bileta dhe për të qenë në stadium, e pse jo dhe për të qenë pranë kuqezinjve, të cilët, edhe me mungesa, duhen ndihmuar për të marrë një tjetër fitore si më 22 mars 2013. Gjithsesi, edhe kur 14 vjet më parë, ka luajtur Norvegjia, përsëri stadiumi ka qenë plot, por atëherë nuk patëm fat, teksa u mundëm 2-1.
Federata Shqiptare e Futbollit ka lajmëruar se biletat për ndeshjen me Norvegjinë, e cila do të luhet më 7 qershor, në ora 20:30, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, do të dalin në shitje më 4 qershor. Çmimet e tyre janë të atilla 8000 lekë të reja në tribunën kryesore, 5000 lekë të reja në tribunat anash kryesores, 3000 lekë të reja D2, 2000 lekë të reja D1 dhe D3 dhe 500 lekë të reja C e E-ja.
Të gjitha institucionet shtetërore kanë dërguar kërkesa të shumta në FSHF, çka e detyron institucionin më të lartë të top-këmbës shqiptare që të bëjë një seleksionim të tyre. Që do të thotë se biletat për institucionet më të rëndësishme shqiptare, duke futur të gjitha Ministritë, Komisionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Gjykatën, Prokurorinë, Parlamentin, po pse jo dhe ambasadat do të bëhen me planifikim.
