Ndryshe nga kuqezinjtë që i kanë nisur prej disa ditësh përgatitjet pasi pjesa më e madhe e tyre e kanë mbyllur sezonin, norvegjezët të cilët janë në mes të kampionatit do të grumbullohen këtë të Hënë, në Oslo. Në orën 15:00 do të zhvillojnë seancën e parë stërvitore, ndërsa në 17:30 trajneri Egil Olsen i shoqëruar nga një ose dy futbollistë do të japin konferencën e parë për shtyp. Të Martën pasdite dhe të Mërkurën në mesditë norvegjezët do të vijojnë stërvitjen në stadiumin Ulleval të Oslos, për të mbërritur në Tiranë me charter në mbrëmjen e 5 Qershorit.
Të Enjten përgatitjet e norvegjezëve do të vijojnë në “Qemal Stafa” në orën 18:00, ndërsa pak para se të nisë seanca e fundit stërvitore trajneri Olsen do të japë konferencën e zakonshme për shtyp në vigjilje të sfidës me kuqezinjtë. Dyert e “Qemal Stafës” do të jenë të hapura për mediat vetëm gjatë 15 minutave të para të seancës së fundit. Takimi i shumëpritur Shqipëri – Norvegji do të nisë të Premten në orën 20:30, ndërsa të shtunën në orën 11:30 në ambientet e Sheraton është parashikuar një tjetër konferencë për shtyp, para se delegacioni norvegjez të niset drejt Rinasit.
