Prishtina kampione-kryeqyteti në festë




FC Prishtina zyrtarisht ka festuar titullin e kampionit. Në një atmosferë fantastike të krijuar nga tifozët e njohur “Plisat”, Prishtina ka mundur të dielën pasdite ndjekësin e saj, Trepçën ’89 me rezultat 2-0. Ndonëse “bardh e kaltrit” kohë më parë kanë siguruar titullin e kampionit, megjithatë, prishtinasit festuan titullin në ndeshjen ndaj mitrovicasve në sfidën e fundit të këtij sezoni të garave. Pjesë të kësaj ngjarje të bukur sportive ishin edhe njerëz të jetës politike, ndonëse dispononim e tyre e prishi shiu që ra gjatë gjithë lojës. Përballja ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës ka prodhuar lojë të kënaqshme, por me iniciative e skuadrës së Afrim Tovërlanit. Prishtina pas vetëm një çerek lojë me golin e Argjend Malajt zhbllokoi rezultatin dhe ekipin skuadrën e tij në epërsi. Me avantazhin e nikoqirëve prej 1-0, u mbyll pjesa e parë e lojës. Edhe në fraksionin e dytë të lojës ishin futbollistët e Prishtinës që e kontrollonin lojën në terren duke rrezikuar disa herë seriozisht portën e “minatorëve”. Ishte sulmuesi Florim Berbatovci i cili shënoi golin e dytë për Prishtinën duke vendosur epilogun e kësaj sfidë joshëse. Dhe, kur gjyqtari i ndeshjes i jep fundin kësaj ndeshje, atëherë i tërë stadiumi shpërthen në festë, duke nisur festa e madhe e titullit të kampionit. Bazuar në rrjedhën e gjithë këtij sezoni, Prishtina me plotë meritë është kampione e Kosovës, pasi gjatë gjithë sezonit ka shfaqur performancë më të mirë se skuadrat tjera elitare. Kapitenit të Prishtinës, Driton Krasniqit, trofeun e titullit të kampionit ia dorëzoi Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi. Festa e Prishtinës nisi në “tempullin” e futbollit, për të vazhduar edhe në rrugët e kryeqytetit.

Trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, është shprehur shumë i lumtur me suksesin e arritur. Sipas tij, rruga deri të ky sukses ka qenë mjaft e vështirë. Tovërlani tha se ndeshjet vendimtar kanë qenë takimet e fituar jashtë Prishtinës. Sipas tij, Tovërlani, Prishtina me meritë ka fituar titullin. Tovërlani beson se skuadra e tij pas një javë do ta fitojë Kupën e Kosovës.
Tovërlani: Nuk ka qenë e lehtë rruga deri të titulli

“Rruga ka qenë mjaft e vështirë, nuk ka qenë aspak e lehtë deri në përfundim të kampionatit kur Trepça ’89 u dorëzua. Ndoshta vendimtare kanë qenë ndeshjet që i kemi fituar jashtë, ndërsa Trepça ’89 ka ngecur në ndeshjet jashtë terrenit të vet. Kampionat jashtëzakonisht i merituar. I falënderoi futbollistët, kryesin, bashkëpunëtorët e mi, por më së shumti i falënderoi futbollistët të cilët vërtet kanë treguar një karakter të fortë dhe një dëshirë e profesionalizëm shumë të lartë për nivelin e Kosovës. Pas një javë është finalja e Kupës dhe duam që Kupën ta sjellim në Prishtinë. Në asnjë mënyrë nuk e nënçmojmë skuadrën e Ferizajt, por ne do të mundohemi që Kupën ta sjellim në kryeqytet”, ka thënë Tovërlani.
Ndërkohë, sulmuesi më i mirë i Prishtinës, njëhërit shënuesi më i mirë i këtij sezoni, Florim Berbatovci, tha se është i ngazëllyer më suksesin e arritur. Berbatovci pohon se nuk ka qenë lehtë rruga deri tek titulli i kampionit. Ai thotë se përveç titullit është i kënaqur edhe më epitetin e golashënuesit më të mirë.
Berbatovci: Jam i lumtur me titullin dhe epitetin e shënuesit më të mirë

“Ka qenë shumë vështirë për të ardhur deri të titulli, por mendoj se kemi pasur ekip të mirë dhe kemi treguar angazhim dhe mendoj se është reale që fituam titullin përsëri. Ajo që me bën të lumtur që jam golashënuesi më i mirë i sezonit. Mendoj se e kam thyer një rekord, sepse Prishtina nuk ka pasur asnjë herë golashënues më të mirë, andaj jam shumë i lumtur”, tha Berbatovci. Duhet cekur se kampioni i Kosovës, nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është shpërblyer me 20 mijë euro, aq sa ishte paraparë për skuadrën kampione.